Tashmë kur është bërë publike se kandidati i BDI-së për president do të jetë Bujar Osmani, dëshirojmë t’ia kujtojmë opinionit se kush është në të vërtetë ky kandidat dhe sa meriton ai të jetë kandidat e le më president i zgjedhur i Maqedonisë së Veriut.
Dikush edhe mund ta ketë harruar, por ata që i ndjekin zhvillimet te ne, e mbajnë mend mirë Bujar Osmanin si ministër të Shëndetësisë të qeverisë së Gruevskit gjatë viteve 2008-2011. Dhe, suksesi i vetëm i tij në ato vite ka qenë “ministri më i korruptuar shqiptar kurdoherë”. Ai është funksionari i vetëm shqiptar që është hetuar nga Prokuroria Speciale Publike për lëndën “PACIENTI”, e cila kur iu desh LSDM-së më 2017, u hesht. Megjithëse gozhdët janë hequr, gjurmët kanë mbetur.
Prandaj ne sot jemi këtu që ta pyesim Bujar Osmanin se çfarë është bërë me lëndën “PACIENTI” dhe ku kanë përfunduar paratë e asaj lënde? Përveç kësaj, derisa ai pretendon të kandidojë për president, ia ka borxh opinionit të përgjigjet edhe në pyetjen “A është e vërtetë se respiratorët gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 janë blerë përmes një kompanie ruse dhe cila është lidhja e tij me këtë kompani?”, si dhe në pyetjen “Cila është lidhja e tij me kompaninë që ka importuar maska në kohën e pandemisë COVID-19 dhe a ka kërkuar ai nga të gjitha institucionet që t’i përdorin ato maska?”. Një kandidat për president dhe një ministër që fjalën më të shpeshtë në retorikën e tij patetike e ka fjalën “eurointegrim”, duhet të përgjigjet në këto pyetje nëse dëshiron ta përfitojë besimin e qytetarëve.
Derisa Bujar Osmani të përgjigjet në këto pyetje, më shumë për opinionin sesa për ne, ngase ne i dimë saktë ato përgjigje, dëshirojmë ta njoftojmë publikun se edhe në ditët në vijim do të kemi disa paraqitje me të cilat Pacienti i Gruevskit, Bujar Osmani, do të bëhet edhe më i njohur për qytetarët e vendit tonë.
Amir Elezi
Nënkryetar i AlternAtivA-s
Shkup, 09.02.2024