Të dashur qytetarë dhe ju përfaqësues të mediave,
Jemi sot këtu, para Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për t’ju njoftuar se ne, subjektet opozitare shqiptare AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike, më 18 shtator 2023 kemi dorëzuar në këtë institucion Kallëzim për dyshime për korrupsion dhe konflikt të interesit.
Baza e këtij kallëzimi është dyshimi ynë se ka korrupsion dhe konflikt interesi në relacionet e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim me kompaninë EUROVIA, e cila paraqitet edhe si donatore e kësaj partie, por edhe si kontraktuese në punët që do të zhvillohen në Korridorin 8. Për informacion të opinionit, kjo kompani është donatore kryesore e BDI-së, duke i dhënë asaj rreth 70.000 EURO vetëm në vitin 2022. Në anën tjetër, pikërisht kjo kompani ka marrë tender në vlerë prej 1.8 milion euro nga Ministria e Jashtme, e cila drejtohet nga ministri i BDI-së, Bujar Osmani, ndërsa ajo paraqitet edhe si nënkontraktuese e Korridorit 8, ku përgjegjës për realizimin e punimeve nga ana e qeverisë është zëvendëskryeministri i parë, po ashtu kuadër i BDI-së – Artan Grubi. Dyshimi ynë është se kemi të bëjmë me larje parash dhe bërje biznes me këtë kompani. Në të vërtetë, dyshimin për korrupsion duhet ta vërtetojë Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa ajo që nuk kemi dyshim është se këtu kemi haptazi konflikt interesi – një kompani që merr tenderë nga eksponentë të BDI-së njëherazi është edhe donatore e kësaj partie. Më qartë se kaq nuk ka si bëhet.
Në dokumentin që e kemi dorëzuar, ne kemi ofruar edhe më shumë fakte dhe u jemi referuar normave mbi të cilat vepron ky komision, ndërsa shpresa jonë është që Komisioni ta verifikojë dyshimin tonë dhe kjo pastaj të kalojë në instancat e drejtësisë.
Duke qenë këtu, si subjekte që në mënyrë të veçantë angazhohemi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, edhe njëherë theksojmë se diskursi europian dhe leksiku i mbushur me fraza patriotike për “ta shpëtuar shtetin dhe kombin” është i pamjaftueshëm për ta mbuluar korrupsionin e BDI-së, që është bërë identiteti i saj parësor dhe themelor. Për këtë arsye sot jemi këtu që të rikujtojmë se vlerë europiane është pikërisht lufta kundër korrupsionit, ndërsa patriotizëm është t’i luftosh të gjithë ata që flamurin e BE-së e përdorin që t’i mbulojnë eurot e përfituara nga korrupsioni politik.
Shkup, 20 shtator 2023