AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike: A e mbështet Ali Ahmeti dhe Arben Taravari interpelancën kundër Lubomir Joveskit

Kur janë bërë tashmë disa ditë qëkur ne – partitë opozitare shqiptare – e kemi deponuar në arkivin e Kuvendit të RMV-së interpelancën për punën e Prokurorit Publik, Lubomir Joveski, për fat të keq vazhdojmë të regjistrojmë heshtje.
Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, edhe pse është i detyruar me Rregulloren për punën e Kuvendit që në afat prej 15 ditësh, që nga dorëzimi i interpelancës, në seancën e parë plenare ta vë në rend dite atë, prej tij deri tash kemi vetëm heshtje.
Heshtje dhe, madje, mashtrim me opinionin kemi edhe nga kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti. Në vend se të deklarohet për interpelancën tonë, sepse – fundja – ajo ka të bëjë me së paku 14 jetë të humbura në spitalin modular të Tetovës, ai vazhdon të brengoset më shumë si ta shpëtojë Nikolla Gruevkin, si ta marrë edhe një herë pushtetin, si të mashtrojë edhe një herë me temën e presidentit konsensual dhe gjepura të tjera, që veç temën qendrore – a është ai për shkarkimin e Lubomir Joveskit apo jo? – nuk e ka askund. Kjo na bën të dyshojmë se ai ka frikë në Lubomir Joveski për lëndë të korrupsionit që Prokuroria mund t’ia ruajë në sirtar. Shpjegim tjetër nuk kemi.
Megjithatë, më dëshpëruese se heshtja e Ali Ahmetit dhe BDI-së dhe heshtja e Talat Xhaferit është heshtja e deputetëve dhe e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Le që nuk e kanë nënshkruar interpelancën, por deputetët e ASH-së ia kanë marrë zanatin e heshtjes edhe BDI-së, ashtu që, njësoj si ata, në vend se të deklarohen a janë me ujkun a me qengjin, a janë me 14 viktimat dhe familjet e tyre apo janë me Lubomir Joveskin, Arben Taravari dhe deputetët e ASH-së e bëjnë të shurdhëtin dhe nuk deklarohet fare, duke lënë për të dyshuar se tashmë edhe ata, njësoj si eksponentë të BDI-së, i kanë futur gishtat në “mjaltë” dhe prandaj tash frikësohen prej Joveskit.
Sidoqoftë, ne – deputetët e Alternativës, Lëvizjes Besa dhe Lëvizjes Demokratike – do të vazhdojmë të kërkojmë mbështetje nga deputetët për këtë interpelancë, ndërsa presim që Talat Xhaferi do të gjejë fuqi për ta tejkaluar veten e për ta ftuar seancën plenare për këtë pikë. Në të kundërtën, do të jetë zhgënjimi më i padëshiruar i këtij kuvendi.
Ora e pritjes po kalon. Ali Ahmeti, Arben Taravari dhe Talat Xhaferi duhet të përgjigjen se a janë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Lubomir Joveski, apo jo? Pa elaborime, thjesht a janë me Lubomir Joveskin apo me 14 viktimat e spitalit modular të Tetovës?
Shkup, 19.09.2023

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *