Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe njëkohësisht nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, në një deklaratë për media ka thënë se “Fronti Evropian është i hapur për të gjithë”, duke aluduar në futjen e partisë së Arjanit Hoxhës në qeveri. Në këtë mënyrë, ministri Osmani dëshiron ta stigmatizojë dhe ndajë shoqërinë shqiptare në ata që janë pro BE-së dhe kundër saj. Sipas tij, “shoqëria në Maqedoninë e Veriut është e polarizuar si asnjëherë më parë”.
Me këtë deklaratë, konstatojmë se dolën në pah dy gënjeshtra dhe dy qëllime të liga të Bujar Osmanit. E para, të jesh mbështetës ose pengues për integrimin evropian këtë nuk e përcakton relacioni me një parti ose me një parti tjetër, por janë vetë partitë që me deklarimin dhe me angazhimin e tyre formal, programor dhe me aktivizmin real e tyre dëshmojnë se në cilën kauzë janë. Gënjeshtra e dytë ka të bëjë me polarizimin rreth temës së Bashkimit Evropian. Fakt është se si asnjëherë më parë skena politike në Maqedoninë e Veriut është unike dhe e interesuar për integrimin e vendit në BE, të paktën në aspektin deklarativ. Këtë gjë e dëshmojnë të gjitha partitë politike shqiptare! Me këtë rast, qasja e Osmanit përmes frazës “kush nuk është me ne (BDI) është kundër nesh, gjegjësisht kundër Evropës”, me pretekstin se ata janë rojtarët dhe filtruesit e orientimit pro evropian të vendit, duke i integruar brenda frontit të tyre të gjitha partitë të sapokrijuara nën logon e re “Soravia-Eurovia”, ka për qëllim të vetëm përçarjen e opozitës së bashkuar dhe asgjë tjetër.
Duke e gjykuar këtë deklaratë si të ligë dhe qëllimkeqe, AlternAtivA edhe njëherë deklaron se jo vetëm që jemi për integrimin e vendit në BE dhe për ndryshimet kushtetutese, por kësaj ia kemi shtuar edhe propozim-amendamentin kushtetues për luftë kundër korrupsionit, diçka që të gjithë kanë trumbetuar se është domosdoshmëri, por deri sot nuk e kanë mbështetur. Në fund të fundit, dera e parë e Bashkimit Evropian është lufta kundër korrupsionit, apo jo?!
Prandaj i drejtohemi ministrit Osmani me këtë porosi: “Nëse jeni njëmend për Bashkimin Europian, deklarohuni cili është qëndrimi i BDI-së për amendamentin e Alternativës për luftë kundër korrupsionit!”. Sepse, BE-ja nuk është slogan që fsheh korrupsion si “Soravia” e “Eurovia”, por union i mbështetur mbi luftën kundër korrupsionit.
AlternAtivA – Departamenti i Politikës së Jashtme
Shkup, 31.08.2023