Para se të fillojmë me temën kryesore për të cilën ju kemi ftuar, duam që juve dhe opinionit të gjërë tu tregojmë se vetëm në 100 ditët e fundit, Artan Grubi përmes kurbanit të tij Përparim Bajramit, po harxhon mbi 2.1 milion euro para të qytetarëve për marketing dhe reklama të kazinove dhe lojërave të fatit nëpër mediumet digjitale. Pra, kjo Qeveri e korruptuar në ikje nuk mendon për fushata për senzibilizimin e qytetarëve për lexim e arsim, për mbrojtje të ambientit e sport, për mbrojtje të shëndetit e për punësim, por mendon vetëm si ti nxisë qytetarët për të lujatur sa më shumë kazino dhe lojëra të fatit. Rrjedhimisht hapet dyshimi mos vallë në këtë mënyrë pushteti planifikon ta financojë makinerinë e tyre propagandistike, me dhjetra portale nën kontollën e drejtpërdrejtë të Artan Grubit dhe Përparim Bajramit.
Por të shkojmë me rradhë. BDI përmes Arbër Ademit, që siç duket e ka marrë rolin e avokatit dhe zëdhënësit të bizneseve të pista të lojërave të fatit dhe kazinove, paska akuzuar opozitën shqiptare për mos-përkrahje të ligjit për lojërat e fatit.
Fillimisht, për respekt ndaj opinionit duam të sqarojmë disa gjëra. Sot këtu nuk jemi për të polemizuar me BDI-në. Drejtuesit e BDI-së vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë të krimit dhe për këtë vendim dënimin do ta marrin nga qytetarët, por edhe nga anëtarësia e vetë BDI-së, me 24 prill dhe 8 maj.
Ajo që është me rëndësi për ne, është që opinionit t’ia sqarojmë se është nonsens të akuzosh opozitën shqiptare për mospërkrahje, kur nga 64 deputetë të qeverisë, pro kanë votuar vetëm 51. Kjo është dëshmi e qartë që BDI dhe kjo shumicë e kanë humbur busullën dhe se atyre tërësisht u ka rënë sistemi. Ne si opozitë jemi VLEN, dhe VLEN është anti-bixhoz. Ndërsa bixhozi është anti-VLEN. Por në 24 prill dhe 8 maj bixhozi do t’i humbë zgjedhjet, VLEN do të fitojë.
Ky ligj për lojërat e fatit që Artan Grubi tentoi në mënyrë ekspres ta kalojë me flamur europian, për çka reagoi ashpër edhe faktori ndërkombëtar, nuk kishte fare të bëjë me mbrotjen e rinisë nga lojërat e fatit, por ishte vetëm tentativë për legalizim i marrëveshjeve kriminale të cilat Artan Grubi i ka bërë përmes kurbanit të tij Përparim Bajramit. Logjikisht parashtrohet pyetja: përse kaq shqetësim në radhët e BDI dhe Artan Grubit për faktin se nuk u kaloi ligji? Mos valle po u bien në ujë marrëveshjet milionëshe me nëntokën serbe, bullgare e malazeze? A thua vallë çfarë obligimesh kanë drejtuesit e BDI ndaj këtyre qarqeve?
Të nderuar qytetarë, nuk ka ironi më të madhe sesa kur dëgjojmë BDI-Llotarinë që përmes internetit e futi kumarin në çdo shtëpi, të akuzojë tjerët se e pengojnë sjelljen e ligjit. Nuk ka ironi më të madhe kur BDI-Llotaria që vetëm për këtë mandat 4 vjeçar investoi 46 milionë euro para të qytetarëve në blerjen e aparateve të kazinos të tentojë të paraqitet se nuk dinë gjë. Nuk ka ironi më të madhe kur vetëm në ditën e fundit të detyrës së tij si zv-kryeminstër, Artan Grubi përmes kurbanit të tij Përparim Bajramit harxhoi 12 milionë euro për furnizimin e aparateve të reja të kazinos, të drejtojë gishtin tek të tjerët.
Ne jemi këtu të ripërsërisim se Neni 10 i këtij ligji parashikon largimin e bastoreve por jo edhe të kazinove në minimum 500 metre distancë nga objektet e shkollave të mesme dhe fillore. Me ligjin e propozuar nga Grubi dhe BDI-ja, kazino mund të ketë edhe në oborr të shkollave. Ky nen me qëllim nuk përfshin kazinot. Pra përmes këtij ligji BDI-Llotaria do tu mbyllte dritaren gjoja disa bastoreve, por do tu hapte derën fuqishëm kazinove dhe kazinove online në bashkëpunim ekskluziv me nëntokën serbe. Pra, Po edhe Rusisë, përmes Sërbisë.
Arbër Ademi para se të drejtojë gishtin kah opozita shqiptare, bën mirë ta pyesë bashkëvendasin dhe mikun e tij Përparim Bajrami, a janë faktet e sipërpërmendura të lidhjes BDI-Serbi arsyeja e vizitave të tij të shpeshta në lokalin “Lafayette” në Beograd?
Koalicioni i partive opozitare shqiptare VLEN jemi shumë të interesuar për ligj të vërtetë anti-bixhoz, i cili ligj në vehte do të përmbajë këto pika:
-mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit, bastoreve e kazinove, dhe jo si propozimi aktual ku përfshihen bastoret por jo edhe kazinot,
– mbyllje totale të kazinove online,
-hetim të detajuar e të pavarur për të gjitha paratë e pista të nëntokës serbe që janë futur në shtetin tonë me lejen dhe dijeninë e BDI-së përmes biznesit të kazinove.
Ndryshimi po vjen përmes koalicionit VLEN, vendi do të zhvillohet, shqiptarët do të mbrohen, dhe ata që e kanë mizën nën kapuç do të japin llogari për të gjitha krimet e bëra.