VLEN: BDI PO PËRDOR SKEMAT E VUÇIQIT

Sjellja destruktive e BDI-së po vazhdon. Që nga dje, në përpjekjet për
të krijuar tensione etnike, Artan Grubi dhe klika e tij kanë abuzuar me
FFM-në, të udhëhequr nga Muhamed Sejdini. Qëllimi i udhëheqjes kriminale
të BDI-së është të përpiqet të shpëtojë nga përgjegjësia penale për
korrupsionin politik masiv dhe të mbrojë pasurinë e fituar në mënyrë të
paligjshme nga populli shqiptar.
Në vend që të bëjnë sehir, BDI-ja duhet të përgjigjet menjëherë: A është
e vërtetë që, nën urdhrat e Artan Grubit dhe Omer Bunjakut, në ndeshjen
ndërmjet FK Brera dhe FK Shkëndija në Strumicë është testuar një plan i
BDI-së për të krijuar tensione përmes incidenteve në ngjarje sportive? A
e ka zgjedhur me qëllim dhe në mënyrë të vetëdijshme Muhamed Sejdini,
president i FFM-së dhe i arrestuar gjatë fushatës zgjedhore për blerje
votash për BDI-në, një delegat të tillë për këtë ndeshje, për të kërkuar
nga policia largimin e tifozëve që kishin shfaqur flamurin shqiptar? A
planifikon BDI-ja, duke ndjekur skemat e Vuçiqit, të shkaktojë përplasje
ndërmjet grupeve të ndryshme të tifozëve dhe tensione ndërmjet nxënësve
të shkollave të mesme dhe studentëve në periudhën e ardhshme?
Çfarë është i gatshëm të bëjë Artan “Belivuku”?
VLEN apelon që shqiptarët të mos bien pre e këtyre provokimeve. BDI-ja
nuk i mbron simbolet e identitetit kombëtar shqiptar, por e përdhos
flamurin e shenjtë shqiptar nga frika e përgjegjësisë për skandalet e
korrupsionit, siç janë Soaravia, bizneset e lojërave të fatit dhe
tenderët e paligjshëm. Detyra jonë është të paralajmërojmë opinionin dhe
të garantojmë sigurinë e qytetarëve. Politika duhet të jetë jashtë
sportit. Grupet e tifozëve të klubeve sportive shqiptare janë një
segment i rëndësishëm i shpirtit sportiv të shoqërisë. Prandaj, i ftojmë
ata të jenë veçanërisht të kujdesshëm në periudhën e ardhshme që të mos
përfshihen në skenarët e Bashkimit Antidemokratik për Dezintegrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *