Sot në Qeveri kaloi informacioni për marrëveshjen e re për qasje në arsimin e lartë dhe regjistrimin e studimeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo nismë synon të nxisë dhe forcojë lidhjet e ngushta mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje dhe Hercegovinës, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Pas miratimit të informacionit në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pritet që marrëveshja të nënshkruhet javën e ardhshme. Marrëveshja ka për qëllim harmonizimin e standardeve dhe procedurave për pranimin e nxënësve që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe studentëve që dëshirojnë të fillojnë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë.
Secili shtet do të njohë kualifikimet e lëshuara nga shtetet e tjera, të cilat plotësojnë kërkesat e përgjithshme për qasje në arsimin e lartë. Kjo përfaqëson një arritje të madhe në fushën e arsimit për vendin tonë dhe për rajonin në tërësi.