Për nder të festave të 7 dhe 8 Marsit, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi priti në Kuvend mësuesen znj. Drandofile Kaliqi

Për nder të festave të 7 dhe 8 Marsit, pata kënaqësinë dhe privilegjin e madh të pres në Kuvend mësuesen time të dashur, znj. Drandofile Kaliqi. E prita me nderimin më të lartë, ashtu si pres krerët e shteteve, sepse ndaj bindje se keshtu duhet të trajtohen gjithmonë të gjithë mësuesit. Mësuesja Drandofile Kaliqi është një grua e jashtëzakonshme, e përkushtuar dhe e pasionuar pa kushte ndaj edukimit të brezave të rinj. Ajo ka qenë një burim frymëzimi dhe udhërrëfyese në botën e diturisë.
Rikujtuam disa nga momentet më të bukura nga e kaluara, ndërsa në sytë e saj lexohej krenaria dhe gëzimi për çdo sukses të nxënësve të saj. Sot pata fatin që ato emocione dhe shikime i drejtoi kah unë.
“Më bëre shumë të lumtur, nuk do ta harroj kurrë këtë ditë,” më tha derisa e përcolla, ndërsa e sigurova se për mua do të mbetet i paharruar çdo moment me të. I urova festat e 7 dhe 8 Marsit dhe e sigurova se nga ky funksion do të luftoj çdo ditë për përmirësimin e arsimit dhe mbështetjen e grave, duke përmbushur kështu jo vetëm porositë e saj, por edhe objektivat e mia për një të ardhme më të ndritur.