Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, mori pjesë sot në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK) në Bruksel, ku për herë të parë vendi ynë u përfaqësua në këtë forum të rëndësishëm.
“Ky është një moment kritik për ne, duke pasur mundësinë të marrim pjesë së bashku me ministrat e vendeve anëtare dhe të shkëmbejmë mendime mbi sundimin e së drejtës në një ambient përfshirës,” theksoi ministri Murtezani.
Përfshirja e vendit tonë në Mekanizmin e BE-së për Sundimin e së Drejtës konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ky mekanizëm do të ofrojë një platformë të qartë për monitorimin dhe vlerësimin e progresit tonë në drejtim të përmbushjes së standardeve të BE-së, duke përfshirë fushat e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, lirisë së medias dhe sistemit të kontrollit institucional.
“Anëtarësimi në BE është prioriteti ynë kryesor dhe jemi të përkushtuar për të realizuar reformat e nevojshme që do të transformojnë shoqërinë tonë sipas rregullave dhe standardeve të Bashkimit Evropian,” tha ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.