“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet” – Alternativa takoi strukturat dhe aktivin e partisë në Kumanovë

Sonte, Alternativa, nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet”, zhvilloi një takim me strukturat dhe aktivin e saj në Kumanovë. Në këtë takim ishin të pranishëm funksionarë të lartë partiakë, funksionarë shtetërorë dhe drejtorë. Kryefjala e takimit ishte llogaridhënia, transparenca dhe përkushtimi i Alternativës si pjesë e Qeverisë, në kuadër të koalicionit VLEN.
Fjalë përshëndetëse mbajtën:
• Kryetari i degës së Kumanovës, Orhan Kurtishi,
• Nënkryetarja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini,
• Sekretari i Sekretariatit për Marrëdhënie me Publikun, Driton Sulejmani,
• Deputetja e Kuvendit, Imerlije Saliu,
• Sekretari i Përgjithshëm, Amir Elezi.
Në fund të takimit, Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, iu drejtua të pranishmëve duke thënë:
“Arsyeja e vizitës sonte, ndër të tjera, është edhe t’ju falënderojmë për përkrahjen tuaj. Kur kemi parasysh emigrimin e madh të të rinjve tanë gjatë viteve të kaluara, e kuptojmë se sa e rëndësishme ka qenë që BDI-në ta çojmë në opozitë.”
Gjithashtu, Ibrahimi theksoi: “Në të kaluarën, politikanët i takonin qytetarët vetëm gjatë kampanjave zgjedhore. Ne duam të vendosim një standard të ri, të vijmë para jush për llogaridhënie. Për herë të parë, kemi mbi 20 milionë euro për komunat shqiptare, duke mos bërë dallime partiake, ndryshe nga BDI-ja, që komunave opozitare ua merrte kompetencat. Zgjidhja përfundimtare e shkollës në Çashkë, rritja e rrogave dhe pensioneve, si dhe Abetarja Kombëtare janë disa nga arritjet tona.”
Në fund, Ibrahimi dha lajmin e madh për ndërtimin e mbi 10 sallave sportive në vendbanimet shqiptare gjatë vitit të ardhshëm. Ai gjithashtu potencoi se përfaqësimi dinjitoz i shqiptarëve në pushtet është një ndër arritjet më të mëdha, duke vlerësuar meritat e Sekretarit Organizativ te Alternatives, Bashkim Murtezit nga Kumanova. “Edhe pse raporti i numrave nuk është i favorshëm për ne, përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtet është në nivelin e duhur,” tha Ibrahimi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë demokratike, me diskutime për situatën aktuale politike, strategjitë e qeverisë dhe planet për vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, u theksua se integrimi në Bashkimin Europian mbetet prioriteti kryesor i Alternativës dhe se Qeveria VLEN është e përkushtuar që ky proces të përfundojë me një epilog pozitiv, duke çuar Maqedoninë e Veriut drejt hapjes zyrtare të negociatave me BE-në.
Takimet do të vazhdojnë edhe në vendbanime të tjera, ku Alternativa do të ballafaqohet me çdo problematikë dhe kërkesë, duke dëshmuar përgjegjësi, llogaridhënie dhe transparencë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *