Kisha nderin të mirëpres në Kuvend Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, z. Gordan Jandroković, dhe delegacionin e tij, me të cilin patëm mundësinë të theksojmë partneritetin e fortë dhe miqësinë e ngushtë mes dy vendeve tona.
Ndamë pikëpamjet për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe shqyrtuam mënyrat për forcimin e lidhjeve tona në fusha të ndryshme, përfshirë ato ekonomike dhe kulturore. Konstatuam se aleanca jonë është përforcuar edhe më shumë përmes angazhimit të përbashkët në kuadër të NATO-s.
Shpreha mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe theksova se kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve tona strategjike. U dakorduam të vazhdojmë përpjekjet tona për të avancuar marrëdhëniet dhe për të kontribuar në zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.




