Kryetari Afrim Gashi mori pjesë në panelin për ardhmërinë e zgjerimit të BE-së

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, sot mori pjesë në panelin “Ardhmëria e zgjerimit të BE-së në kushtet e sfidave aktuale të sigurisë – cilat janë përfitimet për Maqedoninë e Veriut dhe Bashkimin Europian”, i cili u organizua nga “Konrad Adenauer Stiftung”.
Me këtë rast kryetari i Alternativës ka folur për politikën e zgjerimit të BE-së, duke shtruar çështjen se a ka ndryshuar diçka në këtë plan, si rezultat i zhvillimeve të fundit në Europë, ndërsa është ndalur edhe në temat e sigurisë, siç është agresioni rus në Ukrainë, por nuk e ka lanë pa e përmendur edhe sfidën aktuale të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj eurointegruese.
“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut presin tashmë tri dekada deri kur fqinjët tanë të pajtohen për një temë të historisë që ta heqin veton e rrugës sonë integruese. Unë e di rëndësinë historisë dhe kam mirëkuptim për shpjegimet shkencore, por nuk mund të mos e vë re faktin se derisa ne debatojmë se çfarë është emri Maqedoni, nocion gjeografik ose politik, apo se Goce Dellçevi ishte bullgar apo maqedonas, në mënyrë që këto debate të na e sjellin integrimin në BE, ndërkohë më shumë se gjysmë milionë qytetarë tanë kanë gjetur mënyra alternative për të ikur në BE si emigrantë. Natyrisht, për fat të keq, çmimin më të lartë të këtyre pengesave vazhdojmë ta paguajmë ne shqiptarët, që nuk kemi asnjë problem as me identitetin etnik të maqedonasve, as me gjuhën e tyre, as me emrin e tyre.”, ka theksuar mes tjerash ai.
Përveç kryetarit Gashi, si përfaqësuesi i vetëm shqiptar në këtë panel, në të morën pjesë personalitete të larta të jetës politike e diplomatike, si Presidenti Stevo Pendarovski, ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, ambasadorja suedeze, Ami Larson Xhein, si edhe diplomatë të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *