Alternativa takon strukturat në Likovë dhe Shuto Orizarë

Sot, Alternativa zhvilloi takime me strukturat dhe aktivin partiak në Likovë dhe Shuto Orizarë, duke theksuar përkushtimin ndaj llogaridhënies, transparencës dhe përkushtimit si parime themelore të veprimit politik.
Takimet u organizuan në një atmosferë demokratike, ku të pranishmit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje lidhur me funksionimin e qeverisë dhe arritjet deri më tani.
Fjalë përshëndetëse mbajtën kryetarët e degëve përkatëse, Iljasa Abazi (Likovë) dhe Shaban Rustemi (Shuto Orizarë), si dhe disa nga funksionarët e lartë të Alternativës:
• Arsim Idrizi, Drejtor i Inspektoratit për Zbatimin e Gjuhëve
• Safije Sadiku Shaini, Zëvendësministre e Sportit
• Lulzim Aliu, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës
• Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane
• Amir Elezi, Sekretar i Përgjithshëm
• Bashkim Murtezi, Sekretar Organizativ
Në fund të takimit në Likovë, kryetari Zeqirija Ibrahimi theksoi rëndësinë e vendosjes së një standardi të ri politik, duke deklaruar:
“Është krijuar një praktikë që në vendbanimet shqiptare të shkohet vetëm në kohën e zgjedhjeve, por ne duam ta ndryshojmë këtë qasje. Po vendosim një standard të ri politik: të vijmë përballë qytetarëve me funksionarët tanë dhe të ballafaqojmë kërkesat dhe shqetësimet e tyre.”
Ai përmendi disa nga sukseset e qeverisë ku Alternativa ka kontribuar, përfshirë:
• Rritjen e pagave dhe pensioneve
• Ndarjen e mbi 20 milionë eurove për zhvillimin lokal
• Planifikimin e investimeve prej mbi 250 milionë eurosh për komunat shqiptare gjatë katër viteve të ardhshme, pa diskriminim të bazuar në përkatësinë politike të udhëheqësve të komunave.
Për çështjen e gjuhës shqipe, Ibrahimi përmendi përkushtimin e Alternativës dhe angazhimin e Arsim Idrizit në respektimin e ligjit për dygjuhësinë. Ai vuri në dukje presionet nga disa parti për të shmangur penalizimet për mospërmbushjen e këtij ligji.
Në takimin me degën e Shuto Orizarës, Ibrahimi foli për rrugëtimin 10-vjeçar të Alternativës:
“Kur filluam këtë rrugë, ëndrra jonë ishte ta çonim BDI-në në opozitë. Sot, kjo ëndërr është bërë zhgjëndërr për ta.”
Ai theksoi përkushtimin e Alternativës për shqiptarët, pa dallime politike:
“Ne nuk i ndajmë njerëzit sipas partisë që mbështesin, por sipas asaj nëse janë të korruptuar apo jo. Angazhimi ynë është i barabartë për shqiptarët e Çairit dhe ata të Shuto Orizarës.”
Ibrahimi ftoi aktivin të mobilizohet për zgjedhjet lokale, duke synuar një përfaqësim më të gjerë në këshillat komunale.
Në të dyja takimet u rikonfirmua se rruga drejt Bashkimit Evropian mbetet synimi strategjik dhe i padiskutueshëm për shqiptarët.
Alternativa do të vazhdojë takimet në çdo vendbanim, duke forcuar standardet politike përmes llogaridhënies dhe transparencës, në shërbim të qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.Required fields are marked *