Pas deklaratës së djeshme të ambasadores amerikane në Shkup, Angela Ageler, se në Maqedoni të Veriut kemi një epidemi të korrupsionit, ia vlen ta përsërisim qëndrimin tonë të shprehur shumë herë se në Maqedoni të Veriut korrupsioni nuk është një aksidencë, por një rregull, një dukuri kronike, nga e cila rëndom përfitojnë politikanë të pushtetit.
Derisa në listën e zezë amerikane shtohen emrat funksionarëve aktualë ose të ish funksionarëve, ndërsa Ambasada Amerikane në Shkup pohon se kjo listë do të plotësohet, të vetmit që nuk duan ta kuptojnë këtë janë pushtetarët e sotëm që vazhdojnë të sillen sikur këto këmbana bien për alienët e jo për vetë ata.
Në të vërtetë, shkallën e lartë të korrupsionit e kanë konstatuar edhe organizatat ndërkombëtare që merren me luftën kundër korrupsionit, në të cilat Maqedonia e Veriut del gjithnjë në krye të vendeve me korrupsion të lartë, dhe kjo dukuri tashmë ka marrë përmasa shqetësuese dhe shumë serioze.
Kjo ka qenë arsyeja që AlternAtivA qysh vjet ka propozuar, madje duke qenë pjesë e qeverisë, që gjatë ndryshimeve të ardhshme kushtetutese të miratohet edhe një plotësim me të cilin lëndët e korrupsionit politik nuk do të vjetrohen kurrë. Në vend të kësaj, kjo shumicë, le që nuk pati vesh për këtë propozim, por madje bëri ndryshimin e Kodit Penal, duke i ulur dënimet e korrupsionit.
Prandaj, AlternAtivA gjykon se alternativa e vetme ka mbetur që ky pushtet sa më shpejt të përfundojë, në mënyrë që duke qenë pjesë e qeverisë së ardhshme, të mund të punojmë serozisht në luftën kundër korrupsionit.
Shkup, 14.12.2023