Alternativa garon në zgjedhjet lokal 2025, në kuadër të koalicionit VLEN

Partia Alternativa, si pjesë e koalicionit VLEN, do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale me një ekip kandidatësh me integritet të lartë profesional dhe angazhim qytetar. Kandidatët tanë përfaqësojnë breza dhe fusha të ndryshme, nga arsimi dhe administrata publike deri te teknologjia moderne me një qëllim të përbashkët: zhvillimin e komunave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Sedat Bislimi – Kandidat nga Komuna e Studeniçanit

Sedat Bislimi është profesionist në fushën e financave dhe auditimit, me përvojë mbi 15 vjet në sektorin publik. Aktualisht ushtron detyrën e Shefit të Njësisë në sektorin për Auditimin e Brendshëm në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (Agjencia IPARD). Ai ka qenë pjesë kyçe në vlerësimin e rreziqeve financiare, zbatimin e programeve të auditimit dhe përgatitjen e raporteve për transparencë institucionale.

  1. Bislimi ka diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë – Kontabilitet dhe Auditim në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, dhe është i angazhuar në studime pasuniversitare në të njëjtën fushë. Ai ka ndjekur trajnime të shumta profesionale, ndër to nga Taiex dhe Projekti SIPP, që lidhen me auditim, e-qeverisje, planbiznes dhe kontroll në terren sipas standardeve të BE-së. Njihet për profesionalizëm, korrektësi, aftësi të larta analitike dhe përkushtim ndaj zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe administratës transparente.

Fisnik Mela – Kandidat nga Komuna e Dibrës

Fisnik Mela është inxhinier softuerik dhe menaxher ndërkombëtar, me përvojë mbi 15 vite në kompani dhe projekte të teknologjisë informative në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër, Gjermani, Slloveni, Izrael dhe vende të tjera. Është themelues dhe CEO i kompanisë “Rottera Software Development” me seli në Dibër, e specializuar në zhvillimin e aplikacioneve web dhe mobile për tregun global.

Më herët ka punuar si Software Developer për kompani të njohura si Tarmac (SHBA), Slice (New York), BettyBlocks (Holandë) dhe ProgramCEO (Anchorage, Alaska). Ka përvojë të gjerë në programim, zhvillim sistemesh digjitale dhe menaxhim projektesh, duke ndërtuar platforma që përdoren nga mijëra klientë në botë.

  1. Mela është diplomuar dhe ka përfunduar studimet master në “Software Engineering and Telecommunications” në City College, International Faculty of the University of Sheffield, në Selanik, Greqi. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në konferenca ndërkombëtare të teknologjisë si WeAreDevelopers, EuroPython dhe JSCamp, si dhe anëtar i British Computer Society (BCS). Me përvojën dhe vizionin e tij modern, ai përfaqëson frymën e inovacionit, efikasitetit dhe zhvillimit digjital në administratën lokale.

Blerim Islami – Kandidat nga Komuna e Dollnenit

Blerim Islami është arsimtar i matematikës dhe kontribues i dalluar në fushën e arsimit në komunën e Dollnenit. Me një përvojë prej më shumë se 8 vitesh në mësimdhënie, ai ka ndihmuar në rritjen e cilësisë së arsimit në shkollat fillore të komunës. Aktualisht punon në SHFK “Ismail Qemali” në fshatin Cërnilishtë, ku njihet për përkushtim, komunikim të ngrohtë me nxënësit dhe qasje bashkëkohore në mësimdhënie.

Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Tetovës, në drejtimin profesor i diplomuar i matematikës. Z. Islami flet rrjedhshëm disa gjuhë (shqip, maqedonisht, anglisht dhe serbisht) dhe zotëron aftësi të avancuara në përdorimin e teknologjive kompjuterike. Me përvojën e tij në arsim dhe kontaktet e ngushta me komunitetin, ai përfaqëson zërin e qytetarëve dhe angazhimin për arsim cilësor e zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Nëpërmjet këtyre kandidatëve, Alternativa dhe koalicioni VLEN synojnë të sjellin profesionalizëm, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm në komunat shqiptare. Këta janë njerëz të punës, të përvojës dhe të vlerave — që besojnë se politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit.