Sot, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka bërë hapjen solemne të poliklinikës së Sarajit, duke u krekosur e mburrur se ka bërë historinë. Ashtu siç shkon e mburret në Spitalin e Tetovës me pajisjet që atje i kishte siguruar ish ministri Bekim Sali, ashtu siç e shpall sukses listën pozitive të barnave, që e kishte filluar ish ministri Sali, ashtu siç mburret në Universitetin e Tetovës me specializimet e siguruara po ashtu nga Bekim Sali, të cilin bën luftë që as të mos e ftojnë në ceremoni, sot ka ardhur në Saraj ta përurojë edhe hapjen e poliklinikës në këtë komunë, edhe pse ajo ka përfunduar qysh duke qenë ministër i Shëndetësisë Bekim Sali.
Për informacion të opinionit, poliklinika në Saraj është gati tashmë një vit, madje edhe pajisjet mjekësore për të ishin siguruar qysh në kohën kur ministër ishte Bekim Sali, ndërsa Fatmir Mexhiti ka meritë vetëm për dëmin që ua ka shkaktuar 40 mijë qytetarëve të Sarajit, të cilët i ka dëmtuar me atë që për ndërtimin e një oborri e ka zvarritur hapjen e poliklinikës një vit të plotë vetëm që kjo të përkojë me fushatën zgjedhore të vitit 2024.
Sidoqoftë, sipas proverbit të Balzakut se “dekoratat rëndom i duan ata që nuk i meritojnë”, ne megjithatë jemi të lumtur që qytetarët e Sarajit do të kenë një poliklinikë dhe që ne kemi pasur rmundësi ta bëjmë atë për një vit të qeverisjes sonë me Ministrinë e Shëndetësisë.
Por, Fatmir Mexhiti dhe partia e tij duhet ta dinë se përvetësimi i meritave të të tjerëve nuk i amniston nga mungesa e projekteve dhe e rezultateve të tyre. Zgjedhjet po vijnë, ndërsa kështu si e ka nisur, pa asnjë punë dhe duke i përvetësuar punët e të tjerëve, ai do të mbahet mend si ministri që nuk ka bërë asnjë punë të vetme, pos pagesës për spitalet modulare që ia ka bërë Koço Angjushevit të listës së zezë amerikane.
Për fenomenin e ministrave si Fatmir Mexhiti populli shqiptar e ka krijuar një proverb shumë të bukur, që e përshkruan më së miri dembelizmin tij – “Kros more kros, si t’u nis, t’u sos”.
Shkup, 10.01.2024