Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, u.d. Kryetari i Alternativës dhe njëherit Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të kampusit të Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, një projekt me rëndësi të veçantë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për fuqizimin e potencialit akademik të vendit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me përfaqësues të institucioneve, profesorë universitarë dhe studentë.
Në fjalën e tij, Bekim Sali theksoi se vendosja e gurthemelit të këtij kampusi shënon një moment të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit dhe për krijimin e mundësive të reja për brezat e rinj.
“Ajo që dikur dukej si një ëndërr, sot po bëhet realitet. Kampusi i ri i Universitetit ‘Nëna Terezë’ do të jetë një hapësirë moderne akademike për studentët dhe profesorët, një investim i madh në arsim, në rini dhe në të ardhmen e vendit tonë,” theksoi Sali.
Ai nënvizoi se ndërtimi i këtij kampusi do të krijojë një qendër të re të dijes dhe kërkimit shkencor, duke ofruar kushte moderne për procesin mësimor, për zhvillimin e projekteve akademike dhe për avancimin profesional të studentëve dhe stafit universitar.
Sipas tij, investimi në arsim është një nga garancitë më të forta për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për vendin.
“Duke ndërtuar universitete të fuqishme, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë. Arsimi dhe rinia janë themeli mbi të cilin ndërtohet progresi i një shteti,” u shpreh ai.
Kryetari i Alternativës theksoi gjithashtu se koalicioni VLEN dhe kjo qeveri po dëshmojnë me vepra konkrete se arsimi është ndër prioritetet më të larta të angazhimit dhe investimit institucional.
Kampusi i ri i Universitetit “Nëna Terezë” pritet të krijojë kushte bashkëkohore për mësim dhe kërkim shkencor, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme akademike për studentët, profesorët dhe brezat që do të vijnë në të ardhmen.
