Kryetari Ibrahimi në Dollnen: Me Blerim Islamin drejt zhvillimit të komunës

Sonte, në Dollnen, Kryetari i Alternativës, dr. Zeqirija Ibrahimi, së bashku me përfaqësuesit e koalicionit VLEN, mori pjesë në hapjen e shtabit zgjedhor për zgjedhjet lokale, ku u promovua kandidati për kryetar komune, Blerim Islami.

Në fjalën e tij, Ibrahimi theksoi se Dollneni gjithmonë njihet për njerëzit punëtorë dhe mikëpritës, një traditë e trashëguar brez pas brezi. Megjithatë, sipas tij, kjo komunë është lënë pas dore dhe shpesh e harruar nga institucionet shtetërore dhe nga subjektet politike.

“Nuk e patëm të vështirë të gjenim kandidatin tonë për kryetar komune, sepse në çdo cep të Dollnenit ka të rinj të merituar që janë të gatshëm ta ruajnë dhe zhvillojnë këtë vend. Mjafton vetëm kujdesi i institucioneve dhe zbatimi i një programi të qartë”, deklaroi Ibrahimi.

Ai nënvizoi se VLEN ka vizion dhe plan konkret për zhvillimin e Dollnenit, të cilin do ta realizojë Blerim Islami me ekipin e tij të fitores.