Meqë e shohim se ka një sabotim nga Kryetari i Kuvendit për zbatimin e Kodit Zgjedhor, në mbledhjen e fundit koordinuese me kryetarin e Kuvendit unë e shtrova këtë çështje përsëri, ndërsa ai – si gjithnjë me arsyetime e shpjegime – tash arsye për zvarritje e ka se Komisioni për Mandate dhe Emërime nuk ka marrë raport nga shërbimet pas mbylljes së konkursit. Është e qartë se këtu ka sabotim, sepse po të kishte qenë puna që ai anëtar i KSHZ-së të ishte nga pushteti, shërbimet do të ishin detyruar t’jua sjellin që ditën kur është mbyllë konkursi, por unë dua t’ju pyes publikisht se kur do të shkoni ta merrni raportin nga shërbimet apo, më saktë, pse nuk e kërkoni këtë raport? A ka nevojë të shkoj t’jua sjell unë? Veç mos sabotoni më!
Nëse dëshironi që opozita shqiptare t’i bojkotojë zgjedhjet, ka forma të tjera më elegante që ta arrini këtë, por nuk e kuptoj si mund të diskutoni për zgjedhjet e ardhshme kur Komisioni Shtetëror Zgjedhor është i pakompletuar.
Për informacionin tuaj dhe të opinionit, më 16 nëntor është mbyllur konkursi, ndërsa sot jemi 1 dhjetor dhe ju nuk e keni marrë raportin nga shërbimet e Kuvendit.
Sabotimi është i qartë, si edhe synimi për manipulimin e procesit zgjedhor. E qartë është edhe frika që i ka hyrë këtij pushteti nga humbja, por për frikën akoma nuk është zbuluar ilaç.
Unë kërkoj që kjo mbledhje të ndërpritet dhe të vazhdojë vetëm pasi që Komisioni për Mandate dhe Emërime ta marrë këtë raport.
Safije Sadiki – Shaini
01.12.2023