Kjo shumicë parlamentare sot ngulfati debatin edhe për propozimin e opozitës që kazinotë të hiqen nga lagjet tona dhe të mund të hapen vetëm në hotele me 5 yje, një propozim që dikur e trumbetonte Aleanca për Shqiptarët, por që sot është strukur nën urdhërat e Artan Grubit.
Sidoqoftë, ne do ta përkrahim propozim ligjin në procedurë parlamentare, që të paktën t’i largojmë objektet e bixhozit 500 metra larg shkollave e vendbanimeve. Do ta bëjmë këtë duke e thënë hapur se kjo Qeveri, BDI-ja dhe zv/kryeministri Artan Grubi nuk e kanë hallin e familjeve tona, por të maksimizimit të profitit të tyre të pistë. Ata kanë gisht si në monopolin aktual, ashtu edhe në kazinotë onlajn që duan t’i hapin.
Megjithatë, lufta jonë kundër kësaj dukurie negative nuk do të ndalet. Ne e ftojmë Qeverinë që bashkërisht të sjellim vendim për mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit, ashtu siç ka bërë Kosova e Shqipëria. Nuk do të lejojmë që Shkupi të bëhet Las Vegasi i Ballkanit, i kontrolluar nga nëntoka serbe e bullgare.