Pas deklarimit të ministrit Krenar Lloga se ai nuk pajtohet me ndryshimet e Kodit Penal, duke e hedhur topin te zëvendësministrja, ne jemi sot këtu që t’i themi se nëse vërtet nuk pajtohet me ato ndryshime dhe se zëvendësministrja e ka keqpërdorur mosprezencën e tij në seancën e qeverisë për t’i kontrabanduar ndryshimet në Kodin Penal, të propozuara nga ministria që ai e udhëheq, atëherë le të japë dorëheqje. Ai nuk mund të qëndrojë ulur në dy karrige – edhe të jetë në pushtet dhe në opozitë.
Nëse vërtet zëvendësministrja e Drejtësisë, pa dijeninë e ministrit Krenar Lloga, i ka propozuar ndryshimet e Kodit Penal në seancën e qeverisë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë bën Aleanca në qeveri? Pse Krenar Lloga dhe Aleanca vazhdojnë të qëndrojnë si dekor në Qeveri nëse nuk mund ta heqin macen nga përsheshi? A po e durojnë gjithë këtë poshtërim vetëm për tenderët e majmë në institucionet që i udhëheqin apo mos duan ta shtojnë ndonjë shtëpi të Taftalixhe?
Nëse thonë se nuk kanë parë gjë e nuk kanë dëgjuar gjë, atëherë shtrohet pyetja se mos vallë ua ka zënë sytë korrupsioni, apo mos presin t’i nxjerrin nga qeveria e këtë ta marrin vesh nga mediat?
Ju lutem, le të bëhemi seriozë! Krenar Lloga, me shfajësime që më shumë ngjajnë në mashtrime, kërkon amnisti politike vetëm pasi BE-ja reagoi ashpër ndaj amendamenteve të Kodit Penal. Meqë aq shumë e dashka drejtësinë, pse nuk e mbështeti amendamentin e AlternAtivA-s për mosvjetërsimin e korrupsionit politik? Por, shqiptarët nuk bien pre e dredhive të tilla. Kjo padrejtësi që po instalohet do të dënohet ashpër në zgjedhje.
Shkup, 29.09.2023