Të dashur shqiptarë dhe të nderuar qytetarë,
Sot, pasi që kemi pushuar nga dita e djeshme zgjedhore, po ju drejtohem që t’ju falënderoj një nga një e emër për emër të gjithë juve, 107 mijë votuesve që dje, me vullnetin tuaj të lirë, duke u rezistuar presioneve të tmerrshme të pushtetit, dolët dhe votuat për ndryshimin e shumëpritur dhe rotacionin politik në kampin politik shqiptar. Me këtë rast i falënderoj të gjithë mërgimtarët që erdhën ta bëjnë ndryshimin, i falënderoj të gjithë prindërit, pensionistët, profesorët, arsimtarët, mjekët, punëtorët, sportistët, artistët, të rinjtë e të rejat dhe të gjithë ata që ishin protagonistë të këtij ndryshimi. Ju faleminderit të gjithëve nga zemra.
Këtu dua t’i falënderoj edhe të gjithë aktivistët që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për këtë rezultat. Ata janë heronjtë e këtij suksesi dhe atyre u detyrohemi gjithmonë.
Me këtë numër votash e këtë numër deputetësh, duke qenë në garë për votën shqiptare, ne e vulosëm legjitimitetin e votës shqiptare dhe kështu jemi mandatuar për t’i përfaqësuar shqiptarët në pushtetin ekzekutiv. Ju faleminderit për besimin!
Ne kështu kemi hapur një kapitull të ri të përfaqësimit të shqiptarëve, që do ta heqë shantazhin, frikën, kërcënimin dhe presionin ndaj njeriut si qenie e lirë. Prej sot njerëzit janë të lirë të votojnë si të duan, të besojnë në çfarë të duan dhe të deklarohen si të duan. Me ne në pushtet nuk do të ketë hakmarrje ndaj askujt dhe askush nuk do ta vuajë. Natyrisht, llogari dhe përgjegjësi do të ketë vetëm për ata që e kanë shkelur ligjin dhe janë pasuruar në mënyra korruptive. Për ta do të vlejë ligji.
Megjithatë, sot në Ditën e Europës, kemi të drejtë të kremtojmë se kemi korrë një fitore europiane, që e ruan kursin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, për çka garantues do të jemi ne.
Sidoqoftë, 9 maji i vitit 2024 do të kujtohet gjithnjë si 9 maji i vitit 1945. Fitore mbi fitore!